DIZAJNI ITALIAN

Kur flet për dizajnin, Italia është njëri nga vendet e para që ju bie në mend. Italia është e njohur si qendra e trendëve të reja ndërkombëtare dhe lider në dizajn, modë dhe arkitekturë.
Madje para fillimit të Renesancës në shek. 16-të, artikujt medieval Italian ishin të mirënjohur përgjatë gjithë Evropës për cilësinë e materialeve dhe luksin e realizimeve mjeshtërore, sidomos të artikujve prej metali, stolive dhe lëkurës. Portet e Venedikut dhe Gjenovës të cilët asokohe ishin epiqendrat e tregtisë ndërkombëtare sollën lëndët e para dhe gurët e çmueshëm të cilët u përpunuan në artikuj luksozë të realizuar nga artizanët e jashtëzakonshëm nga qytet shtetet Italiane. Gjatë renesancës, Italia u transformua në epiqendrën e rrymave të reja të kreativitetit në art, arkitekturë, dhe filozofi dhe artizanët u transformuan në mjeshtër dhe artistë që ngriti nivelin e realizimeve kreative në një nivel të pa tejkaluar.
Kjo trashëgimi kulturore ka mbetur gjithmonë themeli i qenies Italiane. Studenti në Itali sot është i rrethuar nga arkitektura e proporcioneve perfekte të Renesancës Italiane. Kryeveprat e realizuara nga Giotto, Piero della Francesca, Botticelli, Leonardo da Vinci, Caravaggio, dhe qindra artistë tjerë janë pjesë e ambientit të përditshëm urban italian. Artizanët Italian kurrë nuk kanë mbaruar së prodhuari produkte superiore luksoze, duke përdorur shkathtësitë dhe ekspertizën e përcjellë nga gjenerata në gjeneratë përgjatë shekujve.
Sot, Studiot Italiane shquhen për stil autentik, inovacion dhe kreativitet, cilësitë që i japin me të drejtë markën “Made in Italy” si liderë në tregun ndërkombëtar të dizajnit.
Burimi kryesorë i origjinalitetit Italian në dizajn konsiderohet trashëgimia filozofike dhe estetike e kulturës humaniste italiane. Pothuaj çdo dekadë në Itali shpërfaq “filozofi” dhe “estetika” të reja, që sollën ngritjen e ideve inovative që influencuan thellësisht debatin kulturorë mbi artin dhe dizajnin: Futurizmi (Filippo Tommaso Marinetti, Umberto Boccioni dhe Giacomo Balla), Pikura Metafizike (Giorgio de Chirico dhe Carlo Carrà), Racionalizmi (Giuseppe Terragni, Luciano Baldessari dhe Franco Albini), dhe Noveçento (Mario Sironi, Giovanni Muzio dhe Gio Ponti). Dizajnet radikale (Archizoom, Gaetano Pesce, Alessandro Mendini dhe shumë tjerë), dhe Arte Povera (Michelangelo Pistoletto) ringjallën debatin për shoqërinë konsumuese.
Në lëmine e dizajnit industrial trashëgimia Italiane është e paçmueshme e shpërfaqur përmes dizajnerëve të mirënjohur si: Carlo Alessi, Ettore Sottsass, Piero Boffi, Piero Fornasetti, Giorgetto Giugiaro, Oreste Jannelli, Giò Ponti, Umberto Cassina, Cesare ‘Joe’ Colombo, Aurelio Zanotta, etj.
Në dizajnin e modës Italia konsiderohet si epiqendra e trendëve të reja ndërkombëtare. Dizajnerët e mirënjohur Italian të modës si: Alessandra Facchinetti, Carlo Palazzi, Daniela Zuccoli, Donatella Versace, Elsa Schiaparelli, Emilio Pucci, Enrico Coveri, Gianni Versace, Giorgio Armani, Miuccia Prada, Nino Cerruti, Roberto Cavalli, Salvatore Ferragamo, Valentino e shumë të tjerë janë prominent në fushën e kreacioneve ndërkombëtare.